Një pyetje publike për Edi Rama
Nga Gjergj Yllneshaj
Shkrimtar, gazetar i pavarur dhe themelues i gazetës “Diaspora Torinese”
Çfarë ndodh në një demokraci kur një qytetar kritikon një deputet? Përgjigjet me argumente apo me fyerje dhe kërcënime?
Kjo nuk është një histori imagjinare.
Kjo më ka ndodhur mua.
Pas publikimit të një videoje, ku kritikova në mënyrë demokratike një deputet socialist, mora mesazhe me fyerje të rënda dhe kërcënime ndaj meje dhe familjes sime.
Në videon time nuk bëra thirrje për dhunë. Nuk kërcënova askënd. Nuk fyva familjen e askujt. Shpreha vetëm një mendim politik dhe një kritikë ndaj një përfaqësuesi të pushtetit.
Në mesazhet që mora përmendet edhe mbiemri “Bido”, pikërisht në lidhje me videon që kisha publikuar. Ky është një fakt që çdo lexues mund ta verifikojë vetë, pasi screenshot-et do të publikohen bashkë me këtë artikull.
Dua të jem shumë i qartë.
Unë nuk akuzoj askënd pa prova dhe nuk pretendoj se deputeti ka lidhje me autorin e këtyre mesazheve.
Megjithatë, si gazetar, shkrimtar dhe qytetar, kam të drejtë të bëj një pyetje publike:
Pse në një mesazh kërcënues përmendet pikërisht mbiemri “Bido”, vetëm sepse publikova një video me kritikë politike?
Kjo pyetje i drejtohet drejtpërdrejt Kryeministrit Edi Rama.
Zoti Kryeministër, kjo është demokracia që ju u prezantoni shqiptarëve dhe partnerëve europianë?
A është normale që një qytetar të marrë fyerje dhe kërcënime vetëm sepse ushtron të drejtën e tij për të kritikuar pushtetin?
Një tjetër fakt që ngre pikëpyetje është se i njëjti profil, me të njëjtin emër, sipas dokumentacionit që disponoj, ka dërguar mesazhe fyese dhe kërcënuese jo vetëm ndaj meje, por edhe ndaj aktivistit Andrea Bregu.
Ky është një fakt që do të dokumentohet me materialet përkatëse.
Sa qytetarë të tjerë mund të kenë përjetuar të njëjtën gjë dhe kanë zgjedhur të heshtin nga frika?
Hapi im i parë nuk ishte hakmarrja.
Hapi im i parë ishte t’u dërgoja të gjithë dokumentacionin, përfshirë screenshot-et e këtyre mesazheve, deputetëve të Parlamentit Europian, në mënyrë që ata të njihen me klimën që po përjetojnë disa qytetarë, gazetarë, aktivistë dhe kritikë të qeverisë në Shqipëri.
Për transparencë të plotë, bashkë me këtë artikull do të publikohen edhe screenshot-et që dëshmojnë dërgimin e këtij dokumentacioni tek eurodeputetët.
Ky është vetëm hapi i parë.
Do të ketë edhe hapa të tjerë, të cilët do të ndërmerren në kohën dhe mënyrën e duhur.
Unë nuk do të hesht.
Do të vazhdoj të kritikoj çdo politikan, të majtë apo të djathtë, gjithmonë në mënyrë demokratike, me argumente dhe me respekt për ligjin.
Nëse sot kjo ndodh me mua, nesër mund t’i ndodhë çdo gazetari, çdo aktivisti apo çdo qytetari që guxon të kritikojë pushtetin.
Atëherë kjo nuk është më vetëm historia ime.
Kjo është një çështje që prek lirinë e fjalës, të drejtën për kritikë dhe vetë demokracinë në Shqipëri.
Demokracia nuk matet nga mënyra se si trajtohen ata që mbështesin qeverinë. Demokracia provohet nga mënyra se si trajtohen ata që e kritikojnë atë.
Historia do të gjykojë secilin prej nesh, jo nga pushteti që pati, por nga mënyra se si e përdori atë.
Dokumente që mbështesin këtë artikull







