Sot Britania e Madhe ka një kryeministër të ri. Andy Burnham është kryeministri i shtatë britanik në vetëm dhjetë vjet. Në të njëjtën kohë, Edi Rama drejton Shqipërinë prej më shumë se 13 vitesh.

Dikush mund të thotë se ndërrimi i shpeshtë i kryeministrave tregon destabilitet politik. Por unë shtroj një pyetje tjetër:

A nuk tregon kjo edhe se në një demokraci kryeministri nuk është i përjetshëm?

Në Britani, kryeministrat kanë pasur mandat parlamentar. Megjithatë, kur kanë humbur mbështetjen politike, kur janë përballur me skandale, protesta apo presion nga qytetarët dhe nga vetë partia e tyre, janë larguar. Edhe kryeministri i fundit, Keir Starmer, u largua para përfundimit të mandatit, ndërsa partia e tij vazhdon të ketë shumicën parlamentare.

Pra, mandati nuk është një pronë private. Mandati nuk do të thotë se një kryeministër mund të qëndrojë në pushtet pavarësisht gjithçkaje që ndodh rreth tij.

Në Shqipëri, qytetarët kanë dalë në shesh prej javësh. Protesta po i afrohet dy muajve. Kërkohet dorëheqja e qeverisë, por kryeministri përgjigjet: “Më ka votuar populli dhe kam mandat.”

Por edhe kryeministrat britanikë kishin mandat.

Atëherë, ku qëndron ndryshimi?

A është demokraci ajo ku kryeministri dëgjon zërin e qytetarëve, merr përgjegjësi politike dhe largohet kur humbet besimin?

Apo është demokraci ajo ku pushteti përdor numrat në Parlament si një mur, mbyll veshët dhe vazhdon sikur në shesh të mos ketë asnjë qytetar?

Dhe kam një pyetje për Bashkimin Evropian:

Kur do ta dëgjojë Evropa zërin e qytetarëve shqiptarë?

Kur protestojnë paqësisht për javë të tëra, Evropa hesht. Kur kërkojnë dorëheqjen e qeverisë, Evropa flet vetëm për stabilitet. Kur denoncojnë padrejtësi, korrupsion dhe kapjen e institucioneve, Evropa vazhdon të bëjë sikur gjithçka është normale.

A duhet të ndodhë tragjedia që Evropa të kthejë kokën nga Shqipëria?

A duhet që protesta paqësore të shndërrohet në përplasje, që institucionet evropiane të kuptojnë se një popull nuk mund të injorohet pafundësisht?

Evropa na thotë se Shqipëria është në rrugën e demokracisë. Qeveria shqiptare e quan veten demokratike. Por demokracia nuk matet vetëm me zgjedhje dhe mandate në letër.

Demokracia matet me përgjegjësinë politike. Me aftësinë për të dëgjuar qytetarët. Me gatishmërinë për t’u larguar kur një pjesë e madhe e popullit të thotë: mjaft.

Në Britani, sot erdhi kryeministri i shtatë në dhjetë vjet.

Në Shqipëri, kemi të njëjtin kryeministër prej 13 vitesh.

Prandaj pyetja nuk është vetëm pse Britania ndryshon kaq shpesh kryeministrat.

Pyetja e vërtetë është:

PSE NË SHQIPËRI PUSHTETI NUK NDRYSHON, EDHE KUR POPULLI ËSHTË NË SHESH?

Nga Gjergj Yllneshaj

Di GjergjYllneshaj

Gjergj Yllneshaj është autor shqiptar. Merret me çështje sociale, kulturore dhe aktualitetin që lidhet me Shqipërinë dhe diasporën shqiptare ne Torino.

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato. I campi obbligatori sono contrassegnati *