Nga Gjergj Yllneshaj

Enver Hoxha e nisi diktaturën duke u thënë shqiptarëve se gjithçka bëhej “për të mirën e popullit”. Me këtë arsyetim u morën tokat, dyqanet, punishtet, fabrikat dhe pasuritë private. Pak nga pak, shqiptari humbi jo vetëm pronën, por edhe lirinë ekonomike, pavarësinë dhe të drejtën për të vendosur mbi mundin e familjes së tij. Regjimi komunist e zhduku praktikisht pronën private dhe e bëri qytetarin të varur plotësisht nga shteti.

Sot, pas më shumë se tridhjetë vjetësh pluralizëm, kryeministri Edi Rama deklaron publikisht:

“Do të konfiskojmë të gjitha ndërtimet e braktisura dhe ngrehinat e braktisura që nga vitet ’90.”

Ai i justifikoi këto konfiskime me interesin publik, problemet mjedisore dhe shëndetin e qytetarëve. Por fjala që duhet të alarmojë çdo shqiptar është pikërisht: konfiskim. Ai nuk tha se pronarët do të njoftohen, se do të kryhet ekspertizë teknike, se do t’u jepet afat për sigurimin e ndërtesave apo se do të ketë vendim gjykate. Ai tha se do t’i konfiskojë.

Vila ime nuk është e braktisur

Unë kam një vilë të nisur që në vitin 1997. Për shkak të mungesës së parave, kam mbetur në katin e dytë dhe nuk kam mundur ta përfundoj. Por prona ka zot. Është prona ime dhe e familjes sime. Është e rrethuar, nuk rrezikon kalimtarët, nuk përbën vatër sëmundjesh dhe askush nuk mund të futet aty pa lejen time.

A do të quhet edhe vila ime “e braktisur” vetëm sepse nuk kam pasur para për ta përfunduar?

A do të më dënojë qeveria për varfërinë time?

A do të më merret një pronë për të cilën familja ime ka punuar, vetëm sepse kryeministri vendos ta quajë “karakatinë”?

Në Shqipëri ka qindra, ndoshta mijëra familje në të njëjtën gjendje. Kanë nisur një shtëpi me djersë, kanë hedhur themelet, kanë ngritur një ose dy kate dhe pastaj janë ndalur nga papunësia, emigracioni, sëmundjet apo mungesa e parave. Këto nuk janë prona pa zot. Janë ëndrra familjesh të mbetura përgjysmë.

Rreziku publik hiqet, prona nuk vidhet

Nëse një ndërtesë rrezikon të shembet, shteti ka të drejtë dhe detyrë të ndërhyjë. Mund të kërkojë ekspertizë, rrethim, pastrim, restaurim ose prishje të pjesës së rrezikshme. Por kjo nuk i jep automatikisht të drejtën të bëhet pronar i pasurisë.

Ka një dallim të madh mes:

  • sigurimit të një objekti që rrezikon jetën;
  • dhe marrjes së pronës së qytetarit nga shteti.

Kushtetuta shqiptare e garanton pronën private. Shpronësimi ose kufizimi i saj mund të bëhet vetëm me ligj, për një interes publik të provuar dhe kundrejt një shpërblimi të drejtë.

Edhe Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut mbron gëzimin paqësor të pronës dhe ndalon privimin arbitrar të saj. Çdo ndërhyrje duhet të jetë ligjore, proporcionale dhe e kontrollueshme nga gjykata.

A po shkojmë drejt Europës apo po kthehemi te Enveri?

Një vend që kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Europian duhet të forcojë sigurinë juridike të pronës, jo të fusë frikën se qeveria mund ta marrë atë me një përkufizim të paqartë si “e braktisur”.

Parlamenti Europian ka kërkuar që Shqipëria të garantojë të drejtën e pronës, transparencën e kadastrës, gjykimin e drejtë dhe mjetet efektive të ankimit në rastet e shpronësimit apo heqjes së pronës. Komisioni Europian ka ngritur më parë shqetësime edhe për mungesën e mjeteve të qarta kundër shpronësimeve dhe shembjeve të paligjshme.

Prandaj deklarata e Ramës nuk është një fjali që duhet kaluar me heshtje. Ai nuk është një kalimtar në rrugë. Është kryeministri i Shqipërisë dhe çdo fjalë e tij mund të kthehet nesër në ligj, vendim qeverie dhe urdhër për administratën.

Sot thotë “ndërtime të braktisura”.
Nesër kush do ta përcaktojë çfarë do të thotë “e braktisur”?
Kryetari i bashkisë? Inspektori? Një drejtor partie?
Dhe kush do ta mbrojë qytetarin kur pushteti t’i trokasë në derë?

Enver Hoxha thoshte se po merrte pronat për të mirën e popullit. Edi Rama thotë se do t’i konfiskojë në interes publik. Historia na ka mësuar se sa herë pushteti fillon të flasë për të mirën e qytetarit, ndërsa zgjat dorën drejt pronës së tij, qytetari duhet të ngrihet dhe të kërkojë llogari.

Hej, shqiptarë, pse heshtni?

Nuk bëhet fjalë vetëm për vilën time. Bëhet fjalë për shtëpinë, tokën, dyqanin dhe mundin e secilit prej nesh. Një qeveri që respekton qytetarin e ndihmon të sigurojë pronën. Një pushtet grabitqar kërkon një emër të bukur për t’ia marrë.

Prona private nuk është dhuratë e kryeministrit.
Nuk ta ka dhënë Rama dhe nuk ka të drejtë ta marrë Rama.
Ajo është mundi, gjaku dhe trashëgimia e familjes shqiptare.

Di GjergjYllneshaj

Gjergj Yllneshaj është autor shqiptar. Merret me çështje sociale, kulturore dhe aktualitetin që lidhet me Shqipërinë dhe diasporën shqiptare ne Torino.

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato. I campi obbligatori sono contrassegnati *