Nga Gjergj Yllneshaj
Greqia na kujton sot disa individë çamë që bashkëpunuan me forcat e Boshtit. Askush nuk duhet të mbrojë krimet e individëve. Ata që kanë kryer krime duhet të gjykohen mbi bazën e përgjegjësisë së tyre individuale.
Por historia nuk mund të shkruhet vetëm me një faqe.
Nëse Greqia hap arkivat e vitit 1943, atëherë le të hapë edhe faqet e errëta të viteve 1944–1945.
Le të flasim edhe për Napoleon Zervën, drejtuesin e EDES-it në Epir, dhe për dhunën që goditi popullsinë myslimane çame gjatë dhe pas tërheqjes së forcave të Boshtit. Studimet historike dokumentojnë lidhjen e Zervës me strukturat e EDES-it në Thesproti dhe trajtojnë dëbimin dhe dhunën ndaj çamëve në këtë periudhë.
Pra, kur na kujtoni sot disa individë çamë, mos harroni edhe viktimat çame.
Kur përmendni bashkëpunëtorët, përmendni edhe ata që u vranë, u dëbuan dhe humbën shtëpitë dhe pronat e tyre.
Kur flisni për krimet e vitit 1943, mos e fshini nga historia atë që ndodhi në vitet 1944–1945.
Historia nuk është menu ku zgjedh vetëm atë që të leverdis.
Dhe këtu lind pyetja më e rëndë për Athinën:
Nëse sot Gjermania dhe Italia janë partnerë europianë të Greqisë, sepse përgjegjësia për krimet e së kaluarës nuk mund t’u atribuohet kolektivisht qytetarëve të sotëm, pse ky parim nuk duhet të vlejë edhe për shqiptarët çamë?
Nëse fajësia është individuale, le të jetë individuale.
Nëse krimi është individual, le të jetë individual.
Por mos e ktheni një komunitet të tërë në të akuzuar të përjetshëm.
Dhe ndërsa Athina flet, Tirana hesht.
Presidenti shqiptar, qeveria, Ministria e Jashtme dhe institucionet shqiptare duhet të kenë të paktën kurajën diplomatike për të thënë një gjë të thjeshtë:
Historia duhet të kujtohet e plotë, jo sipas interesit të momentit.
Pas më shumë se 80 vitesh, Europa duhet të ndërtojë të ardhmen, jo të rikthejë konfliktet e së kaluarës si armë politike.
Sepse kush kërkon drejtësi për viktimat e së kaluarës, duhet të ketë guximin të flasë për të gjitha viktimat.
Dhe nëse duam një Europë të bashkuar, atëherë duhet të kemi edhe një standard të vetëm për historinë.