Opinion – Diaspora Torinese
Për 46 ditë me radhë, mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë duke kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit dhe një përgjigje për problemet që, sipas tyre, po e rëndojnë çdo ditë jetën në Shqipëri.
Këto protesta nuk lindën rastësisht. Ato janë rezultat i viteve të tëra pakënaqësie.
Shumë shqiptarë kujtojnë ende 21 Janarin 2011, ku katër qytetarë humbën jetën gjatë protestës. Edhe sot ajo ngjarje vazhdon të mbetet një plagë e hapur në debatin publik. Ndërkohë, ish-komandanti i Gardës, i dënuar për vrasje nga pakujdesia në atë çështje, më pas është zgjedhur deputet i Partisë Socialiste.
Më pas erdhën vitet kur Shqipëria u përmend shpesh në mediat ndërkombëtare për kultivimin masiv të kanabisit.
Pasuan një sërë hetimesh dhe procedimesh ndaj zyrtarëve të lartë. Ish-ministri Saimir Tahiri u dënua për shpërdorim detyre. Ish-ministri Ilir Beqaj është përballur me akuza për korrupsion. Ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është arrestuar dhe çështja e tij është ende në proces. Edhe zyrtarë të tjerë të lartë janë përfshirë në hetime apo procese gjyqësore.
Ndërkohë, çështja e inceneratorëve vazhdon të mbetet një nga temat më të debatueshme në vend. Kritikët pretendojnë se qytetarët vazhdojnë të paguajnë miliona euro për projekte që nuk kanë dhënë rezultatet e premtuara.

Debate të forta kanë shoqëruar edhe projekte të tjera strategjike, përfshirë zhvillimet e planifikuara në zonën e Sazanit dhe Zvërnecit, ku një pjesë e opinionit publik kërkon më shumë transparencë dhe konsultim me qytetarët.
Pak ditë më parë polemika u hap edhe për koncertin e reperit Kanye West, për të cilin është raportuar një kosto prej rreth 4 milionë eurosh. Shumë qytetarë pyesin nëse ato para mund të ishin përdorur për spitale, pensione, shkolla apo mbështetje sociale.
Ndërkohë, realiteti i përditshëm mbetet i vështirë për shumë familje. Pagat, sipas shumë qytetarëve, nuk përballojnë rritjen e kostos së jetesës. Çmimet e banesave dhe qirave janë bërë të papërballueshme për shumë të rinj. Pensionistët vazhdojnë të kërkojnë një jetë më dinjitoze.
Pas 46 ditësh protestë, shumë qytetarë prisnin një përgjigje politike. Në vend të dialogut, ata dëgjuan etiketime. Kryeministri i quajti protestuesit “tufë sorrash dhe laraskash”, një deklaratë që ka shkaktuar reagime të shumta.
Në një demokraci, kundërshtari politik mund të kritikohet. Por qytetarët që protestojnë në mënyrë paqësore nuk duhet të ndihen të përçmuar për faktin se kërkojnë llogari nga ata që qeverisin.
Historia do ta gjykojë secilin. Por një pyetje mbetet:
Kur një pjesë e popullit proteston për javë të tëra, përgjigjja duhet të jetë dialogu apo etiketimi?
Gjergj Yllneshaj
Diaspora Torinese