Nga redaksia e Gazetës Diaspora Torinese
Ajo që ndodhi sot në Tiranë nuk duhet të kalojë në heshtje. Një protestë e organizuar në mënyrë paqësore u shoqërua me ndërhyrjen e policisë, shoqërime me forcë dhe pamje që kanë ngritur shqetësim të madh në opinionin publik.
Në videot dhe fotografitë e publikuara shihen protestues të tërhequr zvarrë, të neutralizuar me forcë dhe të shoqëruar nga policia. Më pas, disa prej tyre janë lënë të lirë.

Kjo ngre një pyetje të thjeshtë:
Nëse nuk kishin kryer asnjë shkelje, pse u ndaluan?
Në të njëjtën kohë, në rrjetet sociale po qarkullojnë pretendime se persona të veshur civilë kanë qenë të pranishëm mes protestuesve përpara ndërhyrjes së policisë. Këto pretendime kërkojnë verifikim dhe një sqarim të plotë nga institucionet përgjegjëse, sepse vetëm transparenca mund të largojë çdo dyshim.
E drejta për të protestuar është një e drejtë kushtetuese dhe një nga shtyllat kryesore të çdo demokracie. Çdo ndërhyrje e forcave të rendit duhet të jetë e domosdoshme, proporcionale dhe plotësisht e justifikuar. Kur qytetarët dalin në shesh për të shprehur mendimin e tyre në mënyrë paqësore, përgjigjja e shtetit nuk duhet të jetë frika, por dialogu.
Sot nuk ishte dita për të treguar forcën e shtetit ndaj qytetarëve. Ishte dita për të dëgjuar zërin e tyre.
Një pyetje për Kryeministrin
Nëse, siç e përsëritni shpesh, Shqipëria është një demokraci dhe një shtet demokratik, atëherë tregojeni me vepra, jo vetëm me fjalë.
Përgjigjuni pesë kërkesave të qytetarëve. Hapni dialogun me protestuesit. Respektoni të drejtën kushtetuese për protestë paqësore. Mos përdorni dhunë ndaj qytetarëve dhe mos i etiketoni ata që mendojnë ndryshe.
Një qeveri demokratike nuk ka pse t’i frikësohet popullit të saj. Përkundrazi, ajo duhet ta dëgjojë, ta respektojë dhe t’i përgjigjet me argumente, jo me forcë.
Demokracia nuk mbrohet me dhunë, me frikë apo me etiketime. Demokracia mbrohet me ligj, me transparencë, me dialog dhe me respekt për të drejtat e njeriut. Vetëm kështu fitohet besimi i qytetarëve dhe ndërtohet një shtet i vërtetë demokratik.