Dritan Goxhaj është ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), analist i çështjeve ushtarake dhe një nga zërat publikë që prej vitesh shpreh qëndrimet e tij mbi zhvillimet politike dhe kombëtare në hapësirën shqiptare.

Në ditën e 23-të të protestës, ai deklaroi se ishte autorizuar nga Grupi Koordinues për të lexuar para protestuesve një deklaratë zyrtare në emër të organizatorëve të lëvizjes.
Sipas deklaratës së lexuar nga Goxhaj, pas 22 ditësh protestash dhe dëgjimit të propozimeve të qytetarëve, Grupi Koordinues vendosi të paraqesë publikisht kërkesat dhe objektivat kryesore të protestës.

Në fjalën e tij u theksua se protesta është paqësore, qytetare dhe mbarëpopullore, ndërsa u paraqitën pesë kërkesat kryesore të saj.
1. Dorëheqja e panegociueshme e Kryeministrit dhe e qeverisë aktuale.
2. Krijimi i një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime kushtetuese dhe reforma të rëndësishme institucionale, përfshirë barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit, ndryshimin e Kodit Zgjedhor, reformimin e financimit të partive politike dhe kufizimin e ushtrimit të detyrës së Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë gjithë jetës politike të një individi.
4.Anulimi i ndryshimeve në ligjin e zonave të mbrojtura, anulimi i ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimi i Paktit të Maleve dhe shfuqizimi i statusit ligjor për investimet strategjike.
5. Hartimi i një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, pas konsultimeve me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga vetë protestuesit.
Në përfundim të deklaratës u theksua se këto kërkesa konsiderohen të qarta, legjitime dhe të panegociueshme, ndërsa protestuesit deklaruan se do të vazhdojnë protestën paqësore deri në realizimin e tyre.
“Shqipëria e shqiptarëve, jo e pushtetarëve”, ishte mesazhi përmbyllës i deklaratës së lexuar nga Dritan Goxhaj.